Sali Berisha ka shprehur sot hapur kundërshtimin e tij ndaj kërkesës së Autoritetit të Dosjeve, i cili kërkon një ndryshim në ligjin për pastërtinë dhe verifikimin e figurës.
Sali Berisha tha sot se mazhoranca e drejtuar prej tij, ka miratuar dy ligje për lustracionin, por ata sipas tij i ka rrëzuar Edi Rama nëpërmjet nismave politike.
E thënë sot, kur kanë kaluar shumë vite, njerëzit mund të mendojnë, po vërtetë, kur PD-ja e paska miratuar lustracionin, duket se ka qenë PS që e ka ndaluar, e ka bllokuar. Se sipas tyre, ata të PS, janë pjesë e PPSH-së dhe të diktaturës komuniste. Vetë Berisha tha sot, se PD ka sjellë miratuar në Parlament një “ligj çek”. E një qytetar që nuk se e ka parë ligjin, në këtë verë të nxehtë, “ligj çek” i duket si birrë çeke-e freskët, e lehtë e gjithë ferment bio. Por në fakt, nuk ka pasur asgjë çeke apo sllovake, e as çekosllovake në “lustracionin” që përmend Sali Berisha. i cili është politikisht në distancë të madhe me liderin e madh çekosllovak: Vaclav Havel, njëkohësisht një nga intelektualët më të njohur të Europës.
Partia Demokratike e Sali Berishës, të cilin ajo e zgjodhi President të Republikës, por e mbajti në parti, duke ndryshuar Kushtetutën, kur mori të gjitha pushtetet më 22 mars 1992, i kishte të gjitha mundësitë dhe fuqitë politike për të kryer lustracionin në vend. Por ligji më urgjent i mazhorancës së PD-së, nuk ishte lustracioni, por një tjetër: famëkeqi 24/1, i cili u miratua sapo PD erdhi në pushtet.
Që i jepte të drejtë drejtuesve të ndërmarrjeve shtetërore, apo institucioneve të largonin kë të donin nga puna, pa pasur reperkursion ligjor. Motivi natyrisht ishte “lustracioni”, por në realitet u larguan edhe pastrues, shoferë, ekonomistë, apo nëpunës që nuk kishin qenë as bashkëpunëtorë të Sigurimit, e as anëtarë të PPSH-së. Ndërkohë që jo vetëm anëtarë të PPSH-së, jo vetëm bashkëpunëtorë të Sigurimit, por edhe përfaqësues nomenklature u ngjitën në poste të larta të pushtetit....!!!