Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Fatmir Mediut, dhe nuk e ka kaluar për shqyrtim çështjen lidhur me dosjen “Gërdeci”.
Ish-ministri i Mbrojtjes Mediu, i ishte drejtuar Kushtetueses me kërkesë “shfuqizimi i vendimit nr. 1106, datë 21.12.2021 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.
Kujtojmë se Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO e Apelit), me vendimin nr. 205, datë 24.09.2021, ka vendosur revokimin e vendimit të pushimit të hetimeve dhe kthimin e akteve Prokurorit të Posaçëm për të proceduar, në bazë të nenit 329/c, pika 3, të KPP-së, pasi imuniteti parlamentar në kohën e procesit të ngritur ndaj kërkuesit përbënte thjesht një pengesë të përkohshme procedurale për procesin penal, i cili duke qëndruar i pushuar përpara Kolegjit të Gjykatës së Lartë, me rënien e kushtit rifillonte ndjekja penale.
Kundër këtij vendimi Mediu paraqiti rekurs në Gjykatën e Lartë.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr. 1106, datë 21.12.2021, ka vendosur mospranimin e rekursit te Mediut, duke arsyetuar se të gjitha pretendimet e ngritura në rekurs nga kërkuesi nuk janë të atilla që të cenojnë vendimmarrjen e asaj gjykate, pasi nuk ka mosrespektim ose zbatim të gabuar të ligjit material ose procedural me rëndësi për njësimin ose zhvillimin praktikës gjyqësore apo me pasojë pavlefshmërinë e vendimit, pavlefshmërinë absolute të akteve ose papërdorshmërinë e provave në dëm të shtetasit që ka paraqitur rekurs, si dhe nuk rezulton që vendimi i ankimuar është në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal ose të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
Në datën 09.05.2022, Mediu i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese (Gjykata) me ankim kushtetues individual, për kundërshtimin e vendimit të Gjykatës së Lartë....!!