Deputeti i Partisë Socialiste Petro Koçi, në një intervistë për gazetën “SOT”, i pyetur mbi debatin për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, ku Autoriteti i Dosjeve në një letër drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, aludon se ish-Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka qenë spiun i ish-Sigurimit, tha se ish-Presidenti Ilir Metaj firmoste dekretet si Ilir Meta. I pyetur se si ka mundësi që Meta u ka shpëtuar filtrave të verifikimit të kryera nga institucionet ligjzbatuese në vend, Koçi u shpreh se vetëm korrupsioni e shpjegon këtë dukuri dhe ndonjë lojë konspirative.
Ai deklaroi se nëse verifikimi përfundimtar do rezultonte në vërtetësinë e dyshimit atëherë e gjithë veprimtaria e këtyre ish komisioneve do rrëzohej. Lidhur me faktin se Meta nxitoi dhe sulmoi Autoritetin e Dosjeve, ndërkohë që këmbëngul se është i pastër dhe se e gjitha është një sajes politike e ushqyer nga kryeministri Edi Rama, deputeti tha se duhet që të besojmë verifikimin përfundimtar, ndërsa tha se nëse pretendimi i Autoritetit të Dosjeve do rrezohej atëherë Meta do përfitonte shumë politikisht.
Lidhur me shkrirjen e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe krijimin e Partisë së Lirisë, deputeti e cilësoi si një lëvizje për të mbuluar gjurmët, ndërsa tha se LSI është pronë private e familjes Metaj. Sipas tij, ata ja ndërrojnë emrin dhe lidershipin sipas nevojës dhe interesit familjar. Teksa foli për bashkëpunimin mes Ilir Metës dhe ish-kryeministrit Sali Berisha,të cilët kanë premtuar se do të bashkëpunojnë fort me njëri-tjetrin, me qëllim rrëzimin e qeverisë, ai tha se ata kërkojnë që të tentojnë 14 shtatore të rinj. Deputeti deklaroi se ata duan kryengritje me dhune, ndërsa vijoi më tej duke thënë se dihet që dhuna është instrument non grata.
-Zoti Koçi, në Shqipëri është rikthyer debati për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, për shkak se Autoriteti i Dosjeve në një letër drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, aludon se ish-Presidenti i Shqipërisë, tanimë kryetar i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka qenë spiun i ish-Sigurimit. Sa qëndron ky pretendim sipas jush?...!!!
Këtë e di më mirë shtetasi Ilir Metaj. Një gjë është e sigurt; ish Presidenti Ilir Metaj firmoste dekretet si Ilir Meta. Tani ai është edhe Kryetar LSI-je dhe Kryetar i PL-je. Gjasat janë që përdorimi i mbiemrit jo zyrtar të jetë një argument vërtetimi të dyshimit të hedhur në publik. Vetë lidhja e fortë me Sali Berishën është sërish një argument plus. Gjithmonë është besuar se Metaj ka qenë njeriu i Berishës te e majta.
-Dakord, por po flasim për Ilir Metën, njeriun që ka dominuar politikën shqiptare prej më shumë se 30 vjetësh. Kështu që me të drejtë kushdo pyet, si ka mundësi që Meta u ka shpëtuar filtrave të verifikimit të kryera nga institucionet ligjzbatuese në vend?...!!!