Nga Mero Baze
Debiiti që po provokon përjashtimi nga jeta politike e personave “non grata” shpallur nga SHBA dhe vende të tjera perëndimore për politikanët shqiptarë, do të kishte tone të tjera tani sikur drejtësia shqiptare të kishte vepruar ndaj Sali Berishës.
Shpallja e tij “non grata” nga SHBA dhe më pas nga Britania e Madhe, bazohet në një seri faktesh të njohura publikisht dhe të verifikuara nga dy shtetet më të mëdha të botës, që e lidhin atë me minimin e demokracisë, me korrupsionin madhor, së bashku me pjesëtarët e tjerë të familjes, dhe me shantazhimin e sistemit të drejtësisë për të mos vepruar kundër tyre.
Por tani debati është nëse ja vlen që ky njeri të përjashtohet nga politika, për shkak të statusit “non grata” që ka nga dy vendet më të rëndësishme të Perëndimit?
Përjashtimi nga jeta politike për një politikan të nivelit të lartë që është përjashtuar nga mundësia per të udhëtuar në SHBA apo Britani të Madhe, është e përshkruar në ligjin për dekriminalizimin, që vet Berisha e ka votuar, për politikanët që zbohen nga një vend perëndimor, ose u refuzohet viza prej tyre. Në këtë rast thjesht statusi “non grata” njehësohet me aktin e zbimit nga vendi apo refuzimit të hyrjes në një vend, çka është e njëjta gjë.
Por ky interpretim që tani ka ngjallur shumë debat, nuk do të binte në sy fare nëse drejtësia do të merrej me Sali Berishën dhe të hetonte dosjet e tij 30- vjeçare, që gjenden dhe në sirtarët e SHBA dhe Britanisë së Madhe. Nëse ndaj tij drejtësia do të fillonte të vepronte, ne sot do të debatonim mbi krimet e Sali Berishës dhe jo mbi alibitë e tij. Aq më pak mbi kërcënimet e tij, nëse e nxjerrin jashtë ligjit si politikan.
Arsyeja pse sot bëhet zhurmë per përjashtimin e mundshëm të Berishës në shtator, nuk ka të bëjë me ndonjë shpikje, pasi SHBA e kërkoi këtë gjë qysh para zgjedhjeve të 25 prillit, që të bënin këtë interpretim të ligjit. Zhurma vjen nga fakti se është hera e parë që Berisha po preket nga drejtësia dhe janë shumë të çuditur që drejtësia do të prekë imunitetin e tij.
Por për turpin tonë dhe natyrisht mbi të gjitha, për turpin e drejtësisë, Berisha po preket nga një ligj special dhe jo nga drejtësia normale, e cila tanimë duhet të kishte mbaruar punë me të. Nuk po i përsëris rastet e pastra të mundësisë për hetim, gjykim dhe ndëshkim të tij, por rastin e humbur të drejtësisë së re që të mos çonte dëm investimin ndërkombëtar, që u bë për të pastruar politikën nga lidhjet kriminale, ku rasti Berisha është monument i lidhjes së politikës me krimin.
Sikur drejtësia e re të kishte bërë detyrën, sot ky ligji special do kishte kuptim më shumë për politikanët e tjerë “non grata”, se sa për Berishën, pasi për të do të flitej për vepra penale konkrete. Por meqë drejtësia nuk bëri dhe nuk po bën asgjë, politika po bën një hap të dytë për vetëpastrim, duke shkaktuar zhurmë, ngaqë ky hap prek Sali Berishën. Është zhurmë nga thyerja e mitit të një njeriu të paprekshëm, i cili po provon një nga akuzat më të rënda që i ka bërë SHBA, shantazhimin e sistemit të drejtësisë. Zbythja e drejtësisë para tij, provon se ai vazhdon të jetë shantazhuesi i saj....!!!