E emocionuar dhe e prekur nga pritja që iu rezervua, Luiza Gega mbajti fjalën e rastit në kryeministri, teksa e nisi me një falënderim për të gjithë njerëzit që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim, nga familja e trajneri, deri te sponsorët e paktë që besuan te ajo....!!!
Ndihem më e emocionuar se kurrë dhe vendosa të vij e veshur me ngjyrat kuqezi, pasi ndihem më krenare se kurrë. Vij nga një vend i vogël dhe doja të tregoja se me punë, ne mund t’ia dalim kudo dhe kurdo. Dua të falënderoj njerëzit që më kanë mbështetur në këtë rrugëtim, duke nisur nga familja ime, që e kam bërë krenare, trajneri që më ka ndihmuar të arrij këtu. Falënderoj edhe kryeministrin për ceremoninë, e ambasadoren e BE-së për pjesëmarrjen. Faleminderit ministres së Sportit, që me ligjin e ri më ka motivuar shumë më tepër. Faleminderit kryetarit të bashkisë, që më ka qëndruar shumë pranë dhe ka shfaqur interes të vazhdueshëm, edhe kur stërvitesha në Kenia. Sporti nuk do t’ia dijë për politikë, por ka si synim të ngrejë larg flamurin e vendit. Falënderoj gjithashtu edhe shokët e kolegët e mi, si Izmir Smajlaj, Briken Çalja, Erkand Qerimaj, etj., që më kanë mbështetur dhe motivuar me sukseset e tyre. Falënderoj kreun e KOKSH-it, që na ka siguruar një mbështetje të cilën nuk e kishim pasur kurrë më parë. Falënderoj edhe ata që më kanë mbështetur në aspektin financiar, ndonëse sponsorët kanë qenë të paktë”, tha Gega...!!!